Arsyeja kryesore pse punonjësit japin dorëheqjen, 10 herë më e rëndësishme se paga

Drejtuesit e bizneseve e kaluan pjesën më të madhe të vitit 2021 duke menaxhuar largimet masive nga puna gjatë asaj që u quajt si “Dorëheqja e Madhe”, një periudhë në të cilën shumë njerëz u larguan nga vendet e tyre të punës në kërkim të pagave më të larta, kushteve më të mira të punës dhe përfitimeve më tërheqëse.

Por, sipas një analize të publikuar në MIT Sloan Management Review, studiuesit thonë se ky numër rekord i largimeve nga puna në fakt është nxitur nga diçka shumë më e vështirë për t’u rregulluar: kultura toksike e punës.

Bazuar te të dhënat e studimit, të cilat morën në konsideratë largimet nga puna në periudhën prill – shtator 2021, vlerë

blog-post image

simet e viteve të fundit nga Glassdoor (duke përfshirë periudhën para pandemisë) dhe 172 indikatorë kulturorë në afërsisht 600 kompani, studiuesit zbuluan se kultura toksike e punës ishte faktori kryesor që i shtyn njerëzit të dorëhiqen nga pozicionet e tyre. Ky faktor rezultoi të ishte 10 herë më i rëndësishëm se paga në shpjegimin e largimeve nga puna.

Nga vlerësimet e marra, format më të zakonshme nëpërmjet të cilave punonjësit e përshkruanin kulturën toksike në kompaninë e tyre ishin përmes: mungesës së promovimit të diversitetit, barazinë dhe gjithëpërfshirjen; punonjësve që ndihen të parespektuar; sjelljeve joetike ose integritetit të ulët; menaxherëve që abuzojnë; dhe një mjedisi të ashpër ku ata ndjenin se kolegët pëpiqeshin gjithmonë t’i dëmtonin.

Një ndër gjetjet më të rëndësishme është se faktorët që lidhen me një vend pune toksik çojnë në një “reagim më të fortë” –

dorëheqjen – më shumë se çështjet e tjera negative të punës, thotë autori kryesor dhe lektor i MIT, Donald Sull. “Njerëzit mund të ankohen se vendi i tyre i punës është burokratik ose i izoluar, megjithatë ata nuk largohen menjëherë,” thotë ai për CNBC Make It. Por, shenjat e kulturës toksike të punës i bëjnë njerëzit që të largohen.

Industritë me shkallën më të lartë të largimeve nga puna sipas këtij studimi janë: dyqanet e veshjeve (19%), konsulenca për menaxhim (16%), interneti (14%), softueri (13%), ndërsa këto katër industri kishin të njëjtën shifër prej 11%: fast-food, shitja me pakicë, spitalet kërkimore, hotelet dhe argëtimi.

Edhe brenda së njëjtës industri, shifrat e largimeve nga puna varionin shumë. Në industrinë e transportit ajror dhe të mbrojtjes, për shembull, Boeing humbi 6.2% të punonjësve nga muaji prill deri në shtator, krahasuar me SpaceX, që humbi plot 21.2% të punonjësve. Sull thotë se këto diferenca mund të tregojnë rolin e rëndësishëm që lidershipi i kompanisë luan në kulturën e punës dhe në largimin ose jo të punonjësve.

Disa faktorë të tjerë kryesorë që ndikojnë te dorëheqjet e punonjësve janë: pasiguria dhe riorganizimi i punës, nivelet e larta të inovacionit (në rastet e kompanive që ecin aq shpejt në këtë drejtim sa i bëjnë punonjësit të kalojnë në “burnout”), mosvlerësimi i performancës së punonjësve dhe reagimi i dobët ndaj Covid-19.

Mosvlerësimi i performancës mund të nënkuptojë që punonjësit që performojnë shumë mirë nuk mendojnë se po shpërblehen për përpjekjet e tyre, ose mendojnë se po tolerohet performanca e ulët.

Sido që të jetë, Sull thotë se ky shkak i largimit të punonjësve mund të parandalohet, si dhe është shumë i dëmshëm për biznesin: “Duke mos vlerësuar performancën e lartë të punonjësve, jo vetëm që do të humbisni punonjës me ritme më të shpejta, por mbi të gjitha do të humbisni njerëz që janë shumë të vlefshëm për kompaninë tuaj.” / CNBC

#punonjesve #largimeve #punonjesit #njerezit #kompanine #rendesishem #industri #periudhen #performances #vleresimet